PUNIMI I DIPLOMËS
Punimi i diplomës paraqet aktin përfundimtar me të cilin shënohet mbarimi i studimeve themelore (BA). Përmes shkrimit të punimit të diplomës synohet arritja e disa qëllimeve. Së pari, që studentët të demonstrojnë aftësitë e tyre hulumtuese, përmes mbledhjes së literaturës dhe burimeve të tjera, si dhe ndërtimin e një punimi të veçantë e koherent nga të gjitha njësitë e mbledhura. Së dyti, të zhvillojnë edhe më shumë aftësitë e tyre analitike dhe ato të mendimit kritik. Së treti, përmes punimit të diplomës nga studentët pritet t’i avancojnë aftësitë dhe teknikat e shkrimit akademik që i kanë përvetësuar gjatë studimeve të tyre themelore. Së katërti, përmes punimit të tyre të diplomës studentët do t’i thellojnë njohuritë e tyre për çështjet që janë objekt i punimit të tyre. Së pesti, përmes mbrojtjes së punimit kandidatët do t’i zhvillojnë aftësitë e tyre komunikuese, si dhe do të mësohen që t’i mbrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e tyre. Së fundi, nga vërejtjet eventuale të anëtarëve të komisionit të mbrojtjes së punimit të diplomës, studentët do të ndihmohen që punimet e tyre të ardhshme t’i bëjnë më cilësore.
Rezultatet e pritura të mësimit
Me përfundimin e lëndës studentët do të jenë të aftë të:
- shkruajnë punimin e diplomës sipas standardeve
- përdorin burime dhe referenca në mënyrë të pavarur
- ilustrojnë njohurit e tyre të përfituara gjatë studimit në punimin e diplomës
- bëjnë punë kreative dhe origjinale në punimin e diplomës
- prezentojnë dhe mbrojnë punimin e diplomës para komisionit vlerësues